top of page
Search

Raport Për Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për Votën e Diasporës

Updated: Jun 4, 2020

Grupi i Punes:


Më 13 Nëntor 2019, Ministri i Shtetit për Diasporën zhvilloi një interpelancë me avokatë dhe specialistë të inxhinierisë elektorale në Kanada, përfaqësues të Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë (ACLA) dhe përfaqësues te Këshillit Kordinativ te Diasporës lidhur me të drejtën dhe garantimin e votës së shtetasve Shqiptarë jashtë atdheut.


Diskutimi u fokusua në dokumentin e depozituar nga Ministri i Shtetit për Diasporën tek Komisioni i Reformës Zgjedhore mbi “Votimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit”, si dhe modelet e suksesshme ku aplikohet e drejta e votës për shtetasit që jetojnë jashtë vendit të origjinës.


Disa nga çështjet e diskutuara përfshinë:

  • Masat e marra nga Komisionit i Reformës Zgjedhore apo institucione të tjera përgjegjëse

  • Baza e dokumentit të depozituar lidhur me votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit

  • Vendet e rajonit që aplikojnë të drejtën e votës për Diasporën

  • Garancia dhe të metat e këtij proçesi

  • Qëndrimi i opozitës lidhur me këtë proçes dhe mbështetja e saj

  • Roli i komunitetit të Diasporës, si dhe mbështetja nga qeveritë dhe institucionet në vendet pritëse

  • E drejta e votës dhe garantimi në përfaqësimin e komuniteteve të Diasporës, këshillat bashkiakë dhe në Kuvend

Grupi i punës së ACLA pasi studioi draftin e ndryshimeve të sugjeruara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë të paraqitur nga grupi i punës në Shqipëri, si dhe dokumentet e tjera ligjore të lidhura me këtë çështje, sidomos në lidhje me ligjin dhe proçedurat zgjedhore në Kanada, përgatiti sa më poshtë sipas kërkesës nga Ministria e Diasporës.


1. PËRMBLEDHJE E TË DREJTAVE TË SHTETASVE KANADEZË LIDHUR ME VOTIMIN JASHTË KANADASË


Përmbledhja e mëposhtme është përgatitur nga avokatet Gledis Rada dhe Anisa Arra


a) Përmbledhje e vendimit të Gjykatës Supreme të Kanadasë Frank v Canada (Attorney General)


Më 11 janar 2019, Gjykata Supreme e Kanadasë vendosi se një akt i cili i mohon shtetasve të drejtën për të votuar për arsye se kanë jetuar jashtë Kanadasë për më shumë se 5 vite është i papajtueshëm me Kartën e të Drejtave dhe Lirive të Kanadasë (“Karta”). Neni 3 i Kartës, e cila është e ngulitur në Kushtetutën e Kanadasë, përcakton se çdo shtetas kanadez ka të drejtë të votojë në zgjedhjet federale. Rrjedhimisht, dhënia e të drejtës së votës vetëm shtetasve rezidentë është në shkelje të Kartës.


Gjykata Supreme e shfuqizoi normën ligjore dhe vendosi që shtetasit kanadezë duhet të lejohen të votojnë në zgjedhjet federale edhe nëse ata kanë jetuar jashtë Kanadasë për më shumë se 5 vite. Shumica e gjyqtarëve dhanë argumentin se neni 3 i Kartës nuk e përmend fare rezidencën. Në sistemin zgjedhor kanadez rezidenca shërben për të përcaktuar qarkun elektoral por jo të drejtën për të votuar.


Në mënyrë të veçantë, Gjykata u shpreh se:


“Votimi është një e drejtë politike themelore dhe e drejta për të votuar është në qendër të demokracisë kanadeze dhe çdo kufizim i të drejtës së votës duhet analizuar me kujdes e nuk mund të lejohet pa patur një arsye bindëse...

Në këtë rast, drejtësia elektorale është qartësisht më pak e rëndësishme sesa efektet negative që sjell heqja e të drejtës së votës shtetasve kanadezë që jetojnë jashtë prej më shumë se 5 vitesh... Është e paqartë sesi drejtësia e sistemit elektoral mund të shtohet kur nga ana tjetër shtetasve që jetojnë jashtë u mohohet e drejta e votës. Efektet negative të shtetasve jo rezidentë që preken nga kjo janë serioze. Heqja e të drejtës së votës shtetasve që jetojnë jashtë për një kohë të gjatë jo vetëm që është mohim i një të drejte themelore demokratike, por edhe dëmton dinjitetin dhe vlerat e tyre.”


Diskutimi i këtij vendimi është i vlefshem dhe bindes sepse Kushtetuta e Shqipërisë, njësoj si ajo e Kanadasë, nuk e përkufizon te drejten e votimit sipas vendbanimit por shtetesisë.


b) Ligji Zgjedhor i Kanadasë (Canada Elections Act):


Ligji Zgjedhor i Kanadasë i jep të drejtën çdo shtetasi kanadez që jeton jashtë të drejten e votës në zgjedhjet federale. Shtetasit kanadezë që jetojnë jashtë mund të votojnë nëpermjet postës ose nëpërmjet mënyrave të tjera të specifikura nëse ata përmbushin kushtet e mëposhtme:

a) janë të paktën 18 vjeç ditën e zgjedhjeve; dhe

b) gjatë jetës së tyre kanë jetuar edhe në Kanada.


Në mënyrë që të votojnë, shtetasit kanadezë duhet të plotësojnë një aplikim online ose me postë si edhe të paraqesin një kopje të një dokumenti identifikimi si më poshtë:

  1. faqet 2 dhe 3 të pashaportës së tyre kanadeze;

  2. çertifikatën ose kartën e tyre të nënshtetësisë kanadeze; ose

  3. çertifikatën e tyre të lindjes që tregon se kanë lindur në Kanada.

Në aplikimin e mësipërm, shtetasit kanadezë që jetojnë jashtë duhet të tregojnë adresën e tyre të fundit në Kanada përpara se të largoheshin, e cila përcakton qarkun zgjedhor për të cilin do të numërohet vota e tyre.


Pasi aplikimi i tyre të miratohet, votuesit kanadezë që jetojnë jashtë shtohen në Regjistrin Ndërkombëtar të Votuesve. Regjistri Ndërkombëtar i Votuesve është një databazë të dhënash e votuesve kanadezë që jetojnë jashtë dhe të cilët kanë aplikuar që të votojnë me një proçes votimi të posaçëm. Elections Canada, agjensia e pavarur dhe përgjegjëse për zhvillimin e referendumeve dhe zgjedhjeve federale, merret me të gjitha aplikimet për votuesit që votojnë nga jashtë Kanadasë. Ambasadat, komisionet e larta dhe konsullatat nuk merren as me aplikimet dhe as me materialet e votimit.


Kur vendosen të mbahen zgjedhjet federale ose një referendum, Elections Canada në mënyrë automatike u dërgon të gjithë votuesve që ndodhen në Regjistrin Ndërkombëtar të Votuesve materialet e votimit të posaçëm. Votuesit duhet të plotësojnë materialet e votimit dhe t’i dërgojnë me postë tek Elections Canada në Otava përpara orës 18:00 të ditës së zgjedhjeve në mënyrë që vota e tyre të jetë e vlefshme.


Pasi votuesit shtohen në Regjistrin Ndërkombëtar të Votuesve, nuk ka më nevojë që ata të regjistrohen përpara çdo zgjedhjeje. Materialet e votimit të posaçëm i dërgohen votuesit menjëherë pas lëshimit të vendimit të mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë që votuesi të ketë sa më shumë kohë në dispozicion për të marrë materialet e votimit, t’i plotësojë dhe t’i dërgojë mbrapsh tek Elections Canada. Pasi janë shtuar në Regjistrin Ndërkombëtar të Votuesve, votuesit duhet të njoftojnë Elections Canada sa herë që shpërngulen në një adrese të re jashtë ose nëse rikthehen për të jetuar në Kanada.


2. SUGJERIME PËR NDRYSHIMIN E NENEVE TË CAKTUARA TË KODIT ZGJEDHOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


Sugjerimet lidhur me ndryshimin e neneve të caktuara të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë (miratuar me ligjin nr.10019, datë 29.12.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015) janë të bazuara mbi të drejtat dhe liritë e shtetasve shqiptarë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të eksperiencës kanadeze të votimit të diasporës në zgjedhjet parlamentare.


Nenet përfshijnë përmbajtjen aktuale (me blu), përmbajtjen e ndryshuar nga grupi i punës në Shqipëri (me të kuqe) dhe sugjerimet ose pyetjet e anëtarëve të grupit të punës së ACLA-së (me jeshile).


Komentet dhe sugjerimet e mëposhtme janë përgatitur nga avokatja Zinejda Rita dhe specialistja Johana Shahini


Neni 2 [Si është]

Përkufizime

(Shtuar pika 15/1 dhe shfuqizuar pika 21, me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012)

Në këtë Kod termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

8. “KZAZ” është Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, që ngrihet dhe funksionon në përputhje më këtë Kod për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe zgjedhjet vendore.


Neni 2 [Si ndryshohet]


Përkufizime

(Shtuar pika 15/1 dhe shfuqizuar pika 21, me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012)


Në këtë Kod termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

8. “KZAZ” është Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, që ngrihet dhe funksionon në përputhje më këtë Kod për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe zgjedhjet vendor.

8.1 KZAZ-ja Speciale është Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, që ngrihet dhe funksionon në përputhje me këtë Kod, për administrimin e votës së shqiptarëve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet parlamentare dhe referendumet.

16.1 Zarf zgjedhor, është materiali që i dërgohet shtetasit shqiptar me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në përgjigje të shprehjes së tij të interesit për të votuar, dhe përmban fletët e votimit dhe udhëzimet për mënyrën e votimit në zgjedhjet përkatëse.

J. Shahini dhe Z. Rita: Përkufizimi i shtetasve shqiptarë që janë të lejuar të votojnë. 8.1 mësipër bën fjalë për “administrimin e votës së shqipëtarëve”, kurse 16.1 bën fjalë për “shtetas shqiptar”.

Duhet të përdoret e njëjta terminologji. Neni 3 flet për “shtetas shqiptarë”.

Duhet përkufizuar lista e zgjedhësve përsa i përket shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Duhet përkufizuar diferenca midis “proçesit të votimit” dhe “zgjedhjeve”. Për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, proçesi i votimi fillon dhe mbaron përpara ditës së zgjedhjeve në Shqipëri.


Neni 8


J. Shahini dhe Z. Rita: Ky nen nuk është i përfshirë në ndryshimet e grupit të punës. Nga ana ligjore ky nen nuk ka nevojë për ndryshim. Edhe në Kanada, periudha zgjedhore është e njëjtë për të gjithë votuesit brenda dhe jashtë shtetit. Ndryshimi qëndron në mënyrën e votimit. Në Kanada votuesit mund të votojnë:

1. në ditën e zgjedhjeve

2. përpara ditës së zgjedhjeve nëse nuk mund të votojnë ditën e zgjedhjeve

3. përmes votës së veçantë, për të cilën duhet të rregjistrohen paraprakisht.

Por si do të funksionojë kjo proçedurë për shtetasit shqiptarë që janë shumë larg Shqipërisë dhe duhet të marrin dhe të nisin drejt Shqipërisë votën e tyre? Duhet përcaktuar në pjesën IX të Kodit Zgjedhor që lidhet me votimin.


Neni 9


J. Shahini dhe Z. Rita: Duhet bërë e qartë që proçedura e votimit është më e gjatë për shtetasit shqiptarë jashtë Shqipërisë. Megjithëse, dita e zgjedhjeve mund të jetë njëlloj për të gjithë. Në rastin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, dita e zgjedhjeve është dita kur votat e tyre numërohen, megjithëse proçedura e votimit për ta do të mbyllet përpara ditës së zgjedhjeve.


Neni 11


Orari i votimit

1. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 31 marsit dhe 15 tetorit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1900.

2. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 16 tetorit dhe 30 marsit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1800.

3. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara në këtë Kod.


Neni 11

Orari i votimit

1. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 31 marsit dhe 15 tetorit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1900.

2. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 16 tetorit dhe 30 marsit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1800.

3. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara në këtë Kod.

4. Për votuesit me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë shprehur interesin për të votuar, procesi i votimit nis (hapet) me mbërritjen e zarfit zgjedhor x ditë para datës së zgjedhjeve dhe mbaron në momentin e postimit të zarfit x ditë para dates së zgjedhjeve.

J. Shahini dhe Z. Rita: Mund të duhet të përkufizohet që për shtetasit shqiptarë jashtë vendit nuk ka qendra votimi në diten e zgjedhjeve.


Neni 21


J. Shahini dhe Z. Rita: Kompetencat e KQZ duhet të zgjerohen për të përfshirë organizimin e zgjedhjeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Gjithashtu, duhet përcaktuar ku do të bëhet numërimi i votave të diasporës. Numërimi lidhet me nene të tjera, si për shembull neni 6 në lidhje me vëzhguesit.


Neni 27, Neni 28


J. Shahini dhe Z. Rita: Çfarë ZAZ do të administrojë KZAZ e posaçme për diasporën?


Neni 33


J. Shahini dhe Z. Rita: Mungojnë detyrat e KZAZ speciale.


Neni 36, 40, 42, 43


J. Shahini dhe Z. Rita: Në bazë të përcaktimit të numërimit të votave të diasporës, mund të lindë nevoja për rishqyrtimin e neneve në lidhje me KQV.


Neni 45 dhe 46


J. Shahini dhe Z. Rita: Si do të përcaktohet kodi i vendbanimit për diasporën ? Në Kanada është vendi me të cilin kishin banimin e regjistruar përpara shpërnguljes.


Komentet dhe sugjerimet e mëposhtme janë përgatitur nga avokatët Gjergji Hasa dhe Aida Kalaj


Në Kanada, në përgjithësi, votimet e shtetasve të një shteti tjetër kryhen nëpërmjet ambasadës së tyre që ndodhet në Kanada. Votimi në distance me postë (i quajtur ne Anglisht "absentee vote") nëpermjet ambasadës është mënyra më e perdorur e votimit në Kanada.


Legjislacioni kanadez nuk lejon që kandidatët për deputet të vijnë e të bëjnë fushatë elektorale në Kanada apo që shteti shqiptar të shpallë një zonë votimi në Kanada ku shqiptarët mund të shkojnë të votojnë. Për këto arsye, votimi me postë nëpërmjet ambasadës (ku ambasada zarfin e mbyllur nga votuesi shqiptar thjesht e transmeton në mënyrë të sigurtë nga Kanadaja në Shqipëri) dhe votimi online (nëpërmjet një platforme elektronike) janë mënyrat e vetme të përshtatshme për votim.


Pas leximit të neneve 44/d, 48, 52, 56 dhe 59, vëme re se projektligji parashikon krijimin e një platforme elektronike për shprehjen e interesit për votim të zgjedhësve shqiptarë me banim në Kanada, por nuk parashikon (akoma) nëse ky votim do të kryhet me postë nëpërmjet ambasadës apo të specifikojë rolin që do të kryhet nga ambasada shqiptare.


Më poshtë do të gjeni komente të mëtejshme për votimin e shqiptarëve në Kanada në nenet përkatës.


Neni 44/d


Kriteret për përfshirjen e zgjedhësit në listat e zgjedhësve

(Ndryshuar neni, me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012)


Kriteret për përfshirjen e një personi në listën e zgjedhësve janë:

a) të ketë shtetësinë shqiptare;

b) të ketë mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe në datën e zgjedhjeve;

c) të mos jetë shpallur me vendim gjyqësor të formës së prerë si i pazoti për të vepruar;

ç) të jetë i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (në vijim RKGjC);

d) të ketë vendbanimin e regjistruar në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit;

dh) të regjistrohet zgjedhës në listën e vetëm një zone qendre votimi.


Neni 44/d


Kriteret për përfshirjen e zgjedhësit në listat e zgjedhësve

(Ndryshuar neni, me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012)


Kriteret për përfshirjen e një personi në listën e zgjedhësve janë:

a) të ketë shtetësinë shqiptare;

Gj. Hasa & A. Kalaj: Ky paragraf duhet të përfshijë e të mos përjashtojë shtetasit që kanë dy nënshtetësi (shqiptare dhe kanadeze).

b) të ketë mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe në datën e zgjedhjeve;

c) të mos jetë shpallur me vendim gjyqësor të formës së prerë si i pazoti për të vepruar;

Gj. Hasa & A. Kalaj: Për shtetasit që kanë dy nënshtetësi (shqiptare dhe kanadeze), një vendim gjyqësor i formës së prerë (apo nje akt i ngjashëm me këtë) nga një gjykatë Kanadeze, e cila e shpall këtë nënshtetas të pazotë për të vepruar duhet të jetë njësoj i vlefshëm për qëllimet e këtij paragrafi.

ç) të jetë i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (në vijim RKGjC);

d) të ketë vendbanimin e regjistruar në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit ose të jetë i regjistruar në listen e votuesve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

Gj. Hasa & A. Kalaj: Sugjerojmë që të specifikohet nëse bëhet fjalë për vendbanim të përkohshëm apo të përhershëm e nëse qëllimi i ligjvënësit shqiptar është të përfshijë njërën apo të dyja kategoritë.

dh) të regjistrohet zgjedhës në listën e vetëm një zone qendre votimi.


Neni 48


Përmbajtja dhe formati i listës së zgjedhësve

(Ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/ 2015, datë 02.04.2015)


1. Lista e zgjedhësve përmban emërtimin e zonës zgjedhore, njësinë e qeverisjes vendore, njësinë administrative, llojin dhe datën e zgjedhjeve, numrin e qendrës së votimit dhe përbërësit zgjedhorë të zgjedhësve, sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij neni.

2. Lista e zgjedhësve hartohet në formatet e mëposhtme:

a) listë zgjedhësish në formë të printuar për publikim, sipas përcaktimeve të nenit 56, e ndarë sipas qendrave të votimit dhe që përmban përbërësit zgjedhorë të përcaktuar në shkronjat “a”, “b”, “ç”, “d” dhe “ë” të pikës 1 të nenit 45 të këtij Kodi;

b) listë zgjedhësish në formë të printuar për përdorim nga KQVja në procesin e votimit, e ndarë sipas qendrave të votimit dhe që përmban përbërësit zgjedhorë të përcaktuar në shkronjat “a”, “ç”, “d”, “dh” dhe “f”, të pikës 1, të nenit Ky format përmban edhe hapësirën për shënimin e numrit të dokumentit të identifikimit dhe nënshkrimin nga vetë zgjedhësi gjatë votimit;

c) përmbledhje e të gjithë zgjedhësve në formë elektronike, printuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në nivel zone të administrimit zgjedhor, sipas llojit të zgjedhjeve, me përbërësit zgjedhorë, të përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, i cili përdoret nga KZAZ-ja për informim të zgjedhësve;

ç) përmbledhje e të gjitha listave në nivel vendi që publikohet në faqet zyrtare të internetit të KQZ-së dhe ministrisë që mbulon shërbimin e gjendjes civile, e organizuar në nivel qarku, rrethesh brenda qarkut, njësish të qeverisjes vendore dhe qendrash votimi.

3. Zgjedhësit në listë renditen sipas rendit alfabetik të mbiemrit.

4. Lista e zgjedhësve, sipas nenit 56, duhet të mbahet edhe në format elektronik. Një kopje në format elektronik, sipas shkronjës “ç” të pikës 2 të këtij neni, i dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së listës së zgjedhësve.


Neni 48


Përmbajtja dhe formati i listës së zgjedhësve

(Ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/ 2015, datë 02.04.2015)


1. Lista e zgjedhësve për votuesit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë përmban emërtimin e zonës zgjedhore, njësinë e qeverisjes vendore, njësinë administrative, llojin dhe datën e zgjedhjeve, numrin e qendrës së votimit dhe përbërësit zgjedhorë të zgjedhësve, sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij neni.

2. Lista e zgjedhësve hartohet në formatet e mëposhtme:

a) listë zgjedhësish në formë të printuar për publikim, sipas përcaktimeve të nenit 56,

e ndarë sipas qendrave të votimit dhe që përmban përbërësit zgjedhorë të përcaktuar në

shkronjat “a”, “b”, “ç”, “d” dhe “ë” të pikës 1 të nenit 45 të këtij Kodi;

b) listë zgjedhësish në formë të printuar për përdorim nga KQV-ja në procesin e votimit, e ndarë sipas qendrave të votimit dhe që përmban përbërësit zgjedhorë të përcaktuar në shkronjat “a”, “ç”, “d”, “dh” dhe “f”, të pikës 1, të nenit 45. Ky format përmban edhe hapësirën për shënimin e numrit të dokumentit të identifikimit dhe nënshkrimin nga vetë zgjedhësi gjatë votimit;

c) përmbledhje e të gjithë zgjedhësve në formë elektronike, printuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në nivel zone të administrimit zgjedhor, sipas llojit të zgjedhjeve, me përbërësit zgjedhorë, të përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, i cili përdoret nga KZAZ-ja për informim të zgjedhësve;

ç) përmbledhje e të gjitha listave në nivel vendi që publikohet në faqet zyrtare të internetit të KQZ-së dhe ministrisë që mbulon shërbimin e gjendjes civile, e organizuar në nivel qarku, rrethesh brenda qarkut, njësish të qeverisjes vendore dhe qendrash votimi.

3. Lista e zgjedhësve për votuesit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përmban të dhëna të përditësuara për shtetasit e Republikës së Shqipërisë me të drejtë vote, të regjistruar me vendbanim jashtë territorit të Republikës.

Gj. Hasa & A. Kalaj: Sugjerojmë që në këtë paragraf t’i bëhet referencë edhe paragrafit përkatës në nenin 52 dhe/ose 56 në lidhje me përgatitjen e listës së zgjedhësve (pasi projektligji të ketë marrë formë përfundimtare).

4. Zgjedhësit në listë renditen sipas rendit alfabetik të mbiemrit.

5. Lista e zgjedhësve, sipas nenit 56, duhet të mbahet edhe në format elektronik. Një kopje në format elektronik, sipas shkronjës “ç” të pikës 2 të këtij neni, i dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së listës së zgjedhësve.


Neni 52


Njoftimi me shkrim i zgjedhësve

(Ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012)


1. Brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve, sipas pikave 1, 2 dhe 3 të nenit 51, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore kryen lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. Njoftim bëhet edhe për shtetasit që kanë mbushur 100 vjeç, sipas të dhënave në RKGjC, duke i njoftuar ata për arsyen e mospërfshirjes në listë.

2. Lajmërimi me shkrim përmban qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.

3. Për kryerjen e njoftimit, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore ngarkon administratorët e lagjeve ose, sipas rastit, kryetarët e fshatrave që përfshihen në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore dhe, nëse është e nevojshme, edhe persona të tjerë nga administrata e njësisë së qeverisjes vendore.

4. Personat e ngarkuar me njoftimin e zgjedhësve i dorëzojnë njoftimin zgjedhësit personalisht ose, në mungesë të zgjedhësit, një anëtari madhor të familjes së tij, që gjendet në banesën e zgjedhësit, i cili firmos për marrjen e njoftimit. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore raporton për pëmbushjen e këtij detyrimi, sipas udhëzimit të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile.

5. Shpenzimet për njoftimin, sipas këtij neni, mbulohen nga ministria që mbulon shërbimin e gjendjes civile. Fondi përkatës u shpërndahet njësive të qeverisjes vendore në raport me numrin e zgjedhësve që ka çdo njësi e qeverisjes vendore.


Neni 52


Njoftimi me shkrim i zgjedhësve

(Ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012)


1. Për shtetasit me banim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve, sipas pikave 1, 2 dhe 3 të nenit 51, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore kryen lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. Njoftim bëhet edhe për shtetasit që kanë mbushur 100 vjeç, sipas të dhënave në RKGjC, duke i njoftuar ata për arsyen e mospërfshirjes në listë.

2. Lajmërimi me shkrim përmban qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.

3. Për kryerjen e njoftimit, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore ngarkon administratorët e lagjeve ose, sipas rastit, kryetarët e fshatrave që përfshihen në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore dhe, nëse është e nevojshme, edhe persona të tjerë nga administrata e njësisë së qeverisjes vendore.

4. Personat e ngarkuar me njoftimin e zgjedhësve i dorëzojnë njoftimin zgjedhësit personalisht ose, në mungesë të zgjedhësit, një anëtari madhor të familjes së tij, që gjendet në banesën e zgjedhësit, i cili firmos për marrjen e njoftimit. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore raporton për pëmbushjen e këtij detyrimi, sipas udhëzimit të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile.

5. Brenda x ditësh nga publikimi i listës së shtetasve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, këta shtetas kanë të drejtën për të shprehur interesin për të votuar në zgjedhjet e rradhës përmes platformës elektronike. Me mbylljen e këtij afati KZAZ-ja e Posaçme (speciale) përgatit listën për votuesit, të cilëve iu dërgohet materiali zgjedhor.

Gj. Hasa & A. Kalaj: Duhet shprehur më qartë se bëhet fjalë për dy lista, njëra që liston të gjithë shtetasit me të drejtë vote me banim jashtë territorit të Shqipërisë (lista e shtetasve me banim në Kanada), dhe tjetra që liston shtetasit që kanë shprehur interesin për të votuar nëpërmjet plaftormës elektronike dhe brenda afatit të përcaktuar (lista e votuesve në Kanada).

6. Shpenzimet për njoftimin, sipas këtij neni, mbulohen nga ministria që mbulon shërbimin e gjendjes civile. Fondi përkatës u shpërndahet njësive të qeverisjes vendore në raport me numrin e zgjedhësve që ka çdo njësi e qeverisjes vendore.


Neni 56


Përgatitja dhe shpallja e listës së zgjedhësve

(Ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012)


1. Zyra e gjendjes civile harton listën e zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të RKGjC- së të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e saj. Lista miratohet nga kryetari i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.


Neni 56


Përgatitja dhe shpallja e listës së zgjedhësve

(Ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012)


1. Zyra e gjendjes civile harton listën e zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të RKGjC- së të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e saj. Lista miratohet nga kryetari i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.

2. Ministria e Brendshme harton listën e zgjedhësve për shtetasit shqiptar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jo më vonë se x ditë para datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të RKGjC- së të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe që kanë vendbanimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gj. Hasa & A. Kalaj: Duhet shprehur më qartë që në këtë paragraf bëhet fjalë për listën e shtetasve me të drejtë vote që banojnë në Kanada (shikoni komentin tonë në paragrafin 5, neni 52, më lart).


Neni 59*


Lista për zgjedhjet e pjesshme, të parakohshme ose të përsëritura


1. Në rastin e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme, jo më vonë se 5 ditë nga nxjerrja e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve.

2. Brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore miratojnë dhe shpallin listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të këtij Kodi.

3. Ndryshimet në listën e zgjedhësve bëhen në përputhje me nenin 57 të këtij Kodi.

4. Në rast përsëritjeje të zgjedhjeve, sipas nenit 161 të këtij Kodi, lista e zgjedhësve nuk ndryshon.


Neni 59*


Lista për zgjedhjet e pjesshme, të parakohshme ose të përsëritura


1. Në rastin e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme, jo më vonë se 5 ditë nga nxjerrja e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve. Për shtetasit me banim jashtë territorit të Republikës, brenda këtij afatit, Ministria e Brendshme shpall në faqen e saj dhe të KQZ listën e zgjëdhësve me banim jashtë territorit, bashkë me thirrjen për shprehje interesi për të marrë pjesë në zgjedhje drejtuar këtyre shtetasve.

Gj Hasa & A Kalaj: Sugjerojmë që në këtë paragraf t’i bëhet referencë edhe paragrafit përkatës në nenet 48, 52 dhe/ose 56 në lidhje me përgatitjen e listës së zgjedhësve (pasi projektligji të ketë marrë formë përfundimtare).

2. Brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit të listës së zgjedhësve brenda territorit të Republikës, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore miratojnë dhe shpallin listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të këtij Kodi.

3. Ndryshimet në listën e zgjedhësve brenda territorit të Republikës bëhen në përputhje me nenin 57 të këtij Kodi. Shtetasit me banim jashtë territorit të Republikës kanë të drejtë të kërkojnë rishikimin e të dhënave të tyre personale gjatë procesit të shprehjes së interesit përmes platformës elektronike, në bazë të udhëzimeve që përmban kjo platformë.

Gj. Hasa & A. Kalaj: Sugjerojmë që rishikimi i të dhënave personale nëpërmjet platformës elektronike të bëhet duke pasur parasysh largësinë e votuesve në Kanada. Kjo mund të kërkojë ndryshimin e nenit 57 të Kodit Zgjedhor i cili është hartuar duke pasur parasysh vetëm votuesit shqiptarë me banim në Shqipëri.

4. Në rast përsëritjeje të zgjedhjeve, sipas nenit 161 të këtij Kodi, lista e zgjedhësve nuk ndryshon.


Komentet dhe sugjerimet e mëposhtme janë përgatitur nga avokatët Marin J. Nati dhe Paola Beci


Neni 106


Votimi

(Ndryshuar fjalë në pikën 5, me ligjin nr.74/2012,datë 19.07.2012)


1. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.

2. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit.

3. Zgjedhësi voton vetëm për vete, me përjashtim të rastit të përcaktuar në nenin 108 të këtij Kodi.

4. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së votojnë pasi kanë votuar të gjithë zgjedhësit e pranishëm në qendrën e votimit brenda orarit të mbylljes së votimit. Rregullat e përcaktuara në këtë nen zbatohen edhe për votimin e anëtarëve dhe sekretarit të KQV-së.

5. Anëtarët e KQV-së, që kanë lejuar një zgjedhës të votojë më shumë se një herë ose në emër të zgjedhësve të tjerë, mbajnë përgjegjësi penale, në përputhje me nenin 248 të Kodit Penal, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 108 të këtij Kodi.


Neni 106

Votimi

(Ndryshuar fjalë në pikën 5, me ligjin nr.74/2012,datë 19.07.2012)


1. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi që voton brenda territorit të Republikës, hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.

2. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit.

3. Zgjedhësi voton vetëm për vete, me përjashtim të rastit të përcaktuar në nenin 108 të këtij Kodi.

4. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së votojnë pasi kanë votuar të gjithë zgjedhësit e pranishëm në qendrën e votimit brenda orarit të mbylljes së votimit.

Rregullat e përcaktuara në këtë nen zbatohen edhe për votimin e anëtarëve dhe sekretarit të KQV-së.

Marin J. Nati: KQZ nuk mund të ketë përfaqësues në Kanada pasi kjo do të ishte në kundërshtim me Canada Elections Act (S.C. 2000, c. 9), në veçanti nenin 495.21.

KQZ mund të specifikojë se anëtarët e tij do të votojnë vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (“RSH”) dhe përpara mbylljes zyrtare të votimit, por jo ndërkohë që ka votues të tjerë të pranishëm që janë duke votuar apo në rradhë për të votuar.

5. Anëtarët e KQV-së, që kanë lejuar një zgjedhës të votojë më shumë se një herë ose në emër të zgjedhësve të tjerë, mbajnë përgjegjësi penale, në përputhje me nenin 248 të Kodit Penal, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 108 të këtij Kodi.

5. KZAZ-ja e Posaçme (speciale) zgjedhësit me vendbanim jashtë territorit të Repulikës së Shqipërisë, i cili ka shprehur interesin për të votuar, i dërgon nëpërmjet postës zarfin zgjedhor që përmban fletët e votimit bashkë me udhëzimet për procesin e votimit. Pasi merr në dorëzim zarfin zgjedhor, zgjedhësi ushtron të drejtën e votës duke plotësuar dhe më pas postuar zarfin zgjedhor brenda afateve të përcaktuara në këtë kod.


M. J. Nati:

1. Neni 106(5) duhet riparë nëse RSH vendos të kryejë votimin elektronik. Unë mendoj se votimi elektronik është mënyra më e sigurtë dhe e shpejtë e votimit për zgjedhësit me vendbanim jashtë. Proçedura do të jetë e ngjashme por votuesit do të merrnin:

a. E-mail konfidencial nga një kompani si palë e tretë dhe e pavarur nga RSH apo organizatat e saj zyrtare;

b. E-maili duhet të përmbajë një link drejt një faqeje të sigurtë online;

c. Emri i përdoruesit duhet të zgjidhet nga votuesi në një format specifik që duhet të permbaje, pa u limituar, sa vijon:

i. Adres e emailit nuk mund të perdoret si emri i përdoruesit;

ii. Emri dhe mbiemri, apo çdo kombinim i tyre, nuk mund të përdoren si emri i përdoruesit;

iii. Emri i përdoruesit të jetë midis 8-16 gërmave dhe duhet të përmbajë të paktën një numër, simbol, gërmë të vogël dhe gërmë të madhe;

iv. Emri i përdoruesit nuk mund të jetë një qytet, shtet, kontinent apo denominim gjeografik apo gjeologjik i identifkueshëm;


2. Zgjedhësit me vendbanim jashtë do të votojnë brenda një periudhe kohore të specifikuar: nëse vota do të jetë me shkrim/postë, afati për të votuar dhe postuar votën të jetë një (1) javë përpara zgjedhjeve dhe nëse vota do të jetë elektronike, vota të jete një (1) ditë përpara votimit në RSH.


3. Vota e zgjedhësit me banim jashtë do të mblidhet nga një kontraktor/kompani palë e tretë, e cila do të transmetojë rezultatin e numërimit elektronik tek KQZ nëpërmjet një raporti të numrit të përgjithshëm të votave si edhe një raport për çdo anomali apo parregullsi të hasura gjatë periudhës së votimit elektronik. Anomalitë apo parregullsitë do të përfshijnë, pa u kufizuar, sa më poshtë:

a. Gabimet gjatë votimit;

b. Rëniet e linjës nga ana e përdoruesit apo serveri i kontraktorit/kompanisë;

c. Çdo mirëmbajtje e kryer nga kompania në serverin që përdoret për të ruajtur të dhënat e përdoruesit;

d. Çdo tentativë për të thyer sigurinë e serverit të kompanisë ndërkohë që ka kontratë me RSH dhe/ose me KQZ;

e. Gabimet në numërimin e votave dhe/ose të numërimit të dyfishtë.


4. Do të shtoja gjithashtu se “Zgjedhësit me banim jashtë do të lejohen të votojnë në datën X ku data X është një (1) javë përpara zgjedhjeve në RSH nëse vota është me postë ose në datën Y, ku data Y është një (1) ditë përpara zgjedhjeve në RSH nëse vota është elektronike”


5. Jam dakord që variantet e votimit të jenë: 1) votim elektronik nëpërmjet një kompanie palë e tretë (jo e varur nga shteti); 2) votim me postë nëse varianti 1 është shumë i kushtueshëm për t’u realizuar. Disa kompani administrimi banesash në Kanada merren me këtë gjë dhe ndoshta mund të ishin të interesuara të bënin të njëjtën gjë për zgjedhësit shqiptarë me banim jashtë.


P. Beci:

1. Neni 106 (ose një tjetër nen mësipër) duhet të përkufizojë disa terma për të qartësuar kush duhet të regjistrohet për të votuar, çfarë informacioni është i nevojshëm, proçesin në fjalë dhe sigurinë e tij, ruajtjen e votës dhe mbrojtjen e privatësisë, etj. Për shembull:

a. Votuesi: një shtetas shqiptar i cili banon brenda apo jashtë Shqipërisë;

b. Votim: votimi në person i një shtetasi shqiptar në Shqipëri ditën e zgjedhjeve;

c. Votim i posaçëm: votim elektronik ose me postë për zgjedhësin me banim i cili është regjistruar për të votuar;

d. Kushtet për votim të posaçëm: Zgjedhësi me banim jashtë mund të votojë nëse regjistrimi për të votuar është marrë nga KQZ jo më vonë se ora 20:00 (me orën e Shqipërisë) në ditën e zgjedhjeve;

e. Informacioni i nevojshëm për regjistrim: emri, mbiemri, vendlindja, mosha, etj,.


2. Pasi të përcaktohet proçesi i votimit në person, paragrafet 1 dhe 2 të nenit 106 mund të përsëriten sërish (ndoshta në një nen të ri) për të përshkruar proçesin e votimit elektronik. Për shembull: përzgjidh vetëm një variant nga variantet e përcaktuara.


3. Neni 106(5): Sugjeroj që të mos jetë thjesht një interes për të votuar por një regjistrim i vënë në dispozicion të të gjithë diaspores për ta përdorur dhe votuar.

a. Sugjeroj gjithashtu që votimi të mos kryhet me postë pasi kjo do të shkaktonte vonesa për arsye të largësisë, ndryshimit në kohë, pamundësisë për të siguruar votën dhe humbjen apo dëmtimin e zarfit me votën brenda, etj;

b. “Afatet e caktuara” duhet të qartësohet. Për shembull, në Kanada zgjedhjet federale u kryen më 21 tetor por votimi i posaçëm u bë më 15 tetor.


Neni 115

Marrja në dorëzim e materialit zgjedhor nga KZAZ-ja

(Ndryshuar fjalë në pikën 5 dhe shtuar pika 10, me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012)


1. KZAZ-ja cakton për marrjen në dorëzim të kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë/kutive me materialet e votimit një ose më shumë grupe të marrjes në dorëzim. Grupet e marrjes në dorëzim përbëhen nga 2 anëtarë të KZAZ-së……………………


Neni 115


Marrja në dorëzim e materialit zgjedhor nga KZAZ-ja

(Ndryshuar fjalë në pikën 5 dhe shtuar pika 10, me ligjin nr.74/2012, datë 19.7.2012)


11. KZAZ-ja e Posaçme (speciale) merr në dorëzim nga posta zarfin zgjedhor dhe e administron votën e shtetasve shqiptarë me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Paola Beci: Ky paragraf duhet të zëvendësohet me mënyrën e votimit elektronik.


3. REFERENCAT

c) Dokumentacione nga OSBE-ja lidhur me sistemin zgjedhor në Shqipëri

d) Canada Elections Act, SC 2000, c. 9

350 views0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page